Në 24-vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se plagët e këtij vendi janë ende të hapura. Ajo gjithashtu theksoi se fati intelektualit Ukshin Hoti ende mbetet i pazbardhur, sikurse ka mbetur i pazgjidhur edhe fati i 64 banorëve të Krushës së Madhe të cilët ende figurojnë në listat e të zhdukurve me dhunë.
Këto deklarata presidentja kosovare i bëri gjatë homazheve në kompleksin e të rënëve në Krushë të Rahovecit.
“Është vështirë të gjenden fjalë për të përshkruar dhimbjen që e kaplon gjithë popullin e Kosovës, por në veçanti familjet e Krushës së Madhe dhe të fshatrave përreth, ku sikurse çdo vit ne i përkujtojmë 241 burra e djem, 7 fëmijë e 5 gra, njëra shtatzënë, të vrarë mizorisht në mënyrën më makabre nga regjimi gjenocidal i Serbisë”, tha presidentja .