Policia e Kosovës ka njoftuar se është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë ndaj dy personave për vrasjen dhe plagosjen e dy personave të tjerë, dje në Prishtinë.
Sipas Policisë, të dyshuarit për vrasje janë dy personat që pas ngjarjes tragjike janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe përfundimit të veprimeve fillestare hetimore, është ngritur dyshimi i bazuar, se personat e dyshuar për rastin e vrasjes, janë dy personat të cilët pasi ka ndodhë ngjarja janë dërguar për trajtim në QKUK. Për të dy personat e dyshuar me vendim të prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Njëri nga personat e lënduar pas trajtimit të nevojshëm mjekësor dhe intervistimit nga ana e policisë është dërguar në qendër të mbajtjes. Ndërsa i dyshuari tjetër (po ashtu nën masën e ndalimit), po vazhdon të trajtohet në QKUK.”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.
Bëhet e ditur gjithashtu se lidhur me rastin, është sekuestruar një armë zjarri dhe një thikë.