Gjatë ditës së djeshme një numër i konsiderueshëm i gjobave janë shqiptuar pas inspektimit mbi respektimin e Ligjit për Duhanin.
Kjo është bërë e ditur nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili ditë më parë paralajmëroi se do të ketë tolerancë zero për ata që nuk e respektojnë ligjin, që duhani të mos pihet në ambientet e mbyllura, transmeton Zeri.info.
“Ligjet janë bërë që të zbatohen e jetësohen në praktikë e jo që të mbeten në letër. Pas inspektimeve të ditës së djeshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës, janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave; gjë e cila nuk na bën të lumtur. Mirëpo zbatimi i ligjit nuk ka alternativë”, është shprehur Peci.
Ai ka ftuar që së bashku me qytetarët si palë bashkëpunuese të zbatohet ligji, me qëllim që ta shndërrojmë vendin tonë në një vend të jetueshëm e shtet të së drejtës.
Kujtojmë se Ligji për Kontrollin e Duhanit ka hyrë në fuqi para 10 vjetëve, por që deri tani nuk është zbatuar asnjëherë plotësisht.