Ballkani është eliminuar nga Kupa e Kosovës, pasi ka pësuar humbje nga Prishtina me rezultat të pastër 2-0.
Kjo është ndeshja e pestë për Ballkanin pa fitore, ku ka tre barazime e dy humbje, një në kampionat një sot në Kupën e Kosovës.
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka folur pas ndeshjes, duke kritikuar gjyqtarët e ndeshjes pasi mendon se penalltia nuk ekzistoi.
“Nuk kam komentuar ndonjëherë ndarjen e drejtësisë, por nuk mund të rri pas dy ndeshjeve ku fillohet me dhënie të penalltive.
Edhe në basketbollin evropian ai kontakt nuk është faull e lërë më në futboll.
Çdo kontakt nuk është penallti, pasi më pas i bie që ne të luajmë volejboll e jo futboll.
Jashtë kësaj, Prishtina kërkoi më shumë fitoren dhe ia doli. Por, kemi një situatë ku Mërgim Pefqeli ndëshkohet me karton të verdhë pas shtatë ndërhyrjeve. Prishtina ishte më luftarake dhe them se merituan fitoren.
Neve na mbetet të fokusohemi në kampionat. Por, edhe nëse në kampionat vazhdon kështu duhet të përgatitemi për në Evropë.
Po të shohim se do të na jepen ndeshje pas ndeshje ndaj nesh penallti, do të shohim në verë a vazhdohet në këtë mënyrë”, ka thënë Daja.