Katër subjekte politike dhe një kandidate e pavarur janë certifikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës, që do të mbahen më 23 prill dhe për kuvende komunale në dy komuna veriore.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai ka bërë të ditur se data 9 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar zbatimin e planit operacional për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të dy komunave: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.
Duke u mbështetur në afatet e caktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke filluar nga data 9 mars dhe deri më sot, 13 mars, partitë politike të regjistruara kanë mundur ta njoftojnë KQZ-në se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në këto komuna.
“Brenda këtij afati, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar deklarimet për mospjesëmarrje në zgjedhje nga 11 parti politike: Partia Demokratike e Diasporës, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Pokret za Gora, Socialdemokratska Unija, Fjala, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Demokratike e Unitetit, Jedinstvena Goranska Partia dhe Kosova Demokratik Türk Partisi dhe Partia Balliste. Gjithashtu, nga data 9 deri më 13 mars, është zhvilluar afati për konfirmimin e certifikimit të subjekteve politike, proces i zhvilluar në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar. Brenda këtij afati kemi pranuar njoftimin konfirmues nga të gjitha subjektet politike të ceritfikuara: Iniciativa Qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partija Kosovskih Srba, Sladjana Pantovic (kandidate e pavarur) dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka bërë të ditur Elezi.