Bayern Munichi ka regjistruar fitore e tretë radhazi në Bundesligë, duke vazhduar kështu edhe me kryesimin në tabelë.
Kampioni në fuqi gjerman mposhti sot Augbsurgun, në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Allianz Arena” përfundoi me rezultatin 5:3.
Joao Cancelo (15′), Benjamin Pavard (19′, 35′), Leroy Sane (45′) dhe Alphonso Davies (74′) shënuan në fitoren e “Bavarezëve”.
Te mysafirët u dallua Mërgim Berisha, i cili shënoi dy gola (3′, 60′). Sulmuesi nga Kosova golin e dytë e shënoi nga penalltia. Goli tjetër u shënua nga Irvin Cardona (90+3′).
Berisha tani ka shkuar në kuotën e tetë golave në elitën e futbollit gjerman.
Bayern Munichi pas kësaj fitore ka 52 pikë dhe vazhdon të jetë lider në tabelë, me tri pikë më shumë se Borussia Dortmundi. “Verdhezinjtë” nuk e kanë zhvilluar ende ndeshjen e kësaj jave.
Augsburgu ndodhet në pozitën e 13-të me 27 pikë të grumbulluara.