Peja po vazhdon me formën e mirë, teksa sonte regjistroi fitoren e katërt radhazi në Superligën e Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Rami Hadar mposhti Vëllaznimin, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të, shkruan Gazeta Express.
Hadar ende nuk di për humbje që nga ardhja e tij te klubi nga Dukagjini, duke përfshirë edhe ndeshjet e tij në Ligën Ballkanike.
Pejanët triumfuan sonte me rezultatin e thellë 127:80. Ndeshja u zhvillua në palestrën sportive “Karagaçi”.
Larry Thomas dhe David Joseph ishin më të dalluarit në fitoren e vendasve, duke shënuar nga 21 pikë secili.
Damonte Dodd u dallua te gjakovarët me 22 pikë.
Peja tani ka 18 fitore në kampionat, krahas edhe shtatë humbjeve – teksa kryeson në tabelë me 43 pikë, një më shumë se Sigal Prishtina, që ndeshjen e kësaj jave e luan të hënën, kundër Trepçës.
Vëllaznimi, që ka bilanc prej tetë fitoreve dhe 17 humbjeve, renditet i gjashti në tabelë me 33 pikë.