Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas tragjedisë së ndodhur në Greqi, ku si pasojë e përplasjes së trenave kanë humbur jetën të paktën 36 persona.
Kreu i ekzekutivit në një postim në “Twitter” u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave. Ai ka thënë se të zgjohesh me lajmin për përplasjen e tmerrshme të trenit është një gjë që ta thyen zemrën. “…Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë. Kosova qëndron me Greqinë gjatë kësaj tragjedie dhe populli i Greqisë është në mendimet dhe lutjet tona”, ka shkruar Kurti. Lidhur me tragjedinë në Greqi më herët ka shprehur ngushëllime për familjet dhe popullin grek edhe presidentja Vjosa Osmani.