“Do të ndërtojmë 4 mijë apartamente me skemën 120X1200 ose 150X150”, kishte thënë Kurti.
Por gazetari Armand Shkullaku e kishte pyetur Kurtin se “ku do t’i marr paratë për këto premtime”.
Apartamentet për çiftet e reja ishin një nga premtimet e Albin Kurtit gjatë kohës sa ishte në opozitë.
Më 12 shkurt, pak orë para se të niste heshtja zgjedhore për votimet e 14 shkurtit, Kurti në “Debat Plus”, kishte premtuar 4 mijë apartamente për çiftet e reja.
Kurti ishte ndalur pikërisht te ndërtimi i banesave të reja.
“Edhe paratë do t’i gjejmë, 22 milionë euro kushtojnë ato apartamente, dy kilometra të autostradës”, kishte thënë Kurti.
Megjithatë, dy vjet më pas, Albin Kurti tash si kryeministër prezantoi para deputetëve projektin për ndërtimin e banesave të reja, pasi mori pyetje në seancën e Kuvendit.
Aty Kurti ka deklaruar se projekti do të kushtojë 200 milionë euro, pra 178 milionë euro më shumë sesa kishte thënë Kurti dy ditë para se ta arrinte fitoren zgjedhore.
“MMPHI më 16 shkurt 2022 ka nënshkruar marrëveshje për studim fizibiliteti me IFC-në për banim me kosto të përballueshme. IFC-ja në shkurt 2023 ka prezantuar para ministrit studimet dhe rekomandimet se si ky projekt mund të zbatohet në Kosovë. Studimi ka përfshirë, analizën e sektorit të banimit në Kosovë, modelin financiar që mundëson të analizojmë skenarë të realizimit dhe koston që Qeveria do ta bartë. Sipas IFC-së kostoja e ndërtimit është 200 milionë euro, që është një prej projekteve më madhore të Qeverisë sonë”, ka deklaruar Kurti.
Ndryshe, kur elaboronte rreth kësaj çështjeje, Albin Kurti deklaronte se çiftet kur po e nënshkruajnë kurorëzimin po e nënshkruajnë edhe aplikimin për vizë.
Ai e kishte parë këtë projekt si një mundësi për banim të përballueshëm për çiftet e reja.
Edhe gjatë kësaj seance e tha se këto banesa nuk janë për raste sociale, por projekti sipas Kurtit është unik dhe për herë të parë do të zbatohet në Kosovë gjatë këtij viti.