18 shkurt, 2023 – Në kuadër të aktiviteteve shtetërore për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të shtunën, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, u zhvillua ndeshja e veteranëve ndërmjet Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Gjermanisë. Në hapje të këtij aktiviteti të pranishmëve iu drejtuan ministri i Sportit, Hajrulla Çeku dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Ministri ua uroj të gjithëve Ditën e Pavarësisë, derisa theksoi se është kënaqësi që përvjetorin e 15-të të Pavarësisë e ka nderuar ekipi i veteranëve të futbollit i një shteti mik siç është Gjermania.
“Ky shtet ka kontribuar në të gjitha betejat që ka kaluar vendi dhe futbolli ynë. Është kënaqësi t’i shohësh të gjitha yjet e Gjermanisë, të cilët kanë shënuar periudha të caktuara të futbollit botëror, por gjithashtu edhe yjet e Kosovës që kanë dhënë shumë për futbollin dhe vazhdojnë të japin edhe më tutje. Jemi këtu në një kompleks të jashtëzakonshëm, i cili tashmë ka marrë formë dhe sipas presidentit të federatës brenda vitit do ta inaugurojmë. Por edhe kështu siç është një vend i jashtëzakonshëm, një investim i madh me mbështetje nga UEFA, një punë e jashtëzakonshme e FFK-së. Shpresoj se së shpejti do të jemi prap këtu për aktivitete tjera. E falënderoj presidentin e FFK-së për këtë organizim dhe për angazhimin që të kemi këtu yjet veteranë të futbollit të Gjermanisë”, ka theksuar ministri Çeku.
Ndërkaq, presidenti Ademi theksoi se për ditë të veçanta ftohen miqtë e veçantë. “Duke qenë se kjo ndeshje zhvillohet në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, i kemi ftuar miqtë dhe njerëzit që na kanë ndihmuar në vazhdimësi. Ata me kontributin që kanë dhënë për ne gjithmonë do të jenë të mirëseardhur në vendin tonë“, është shprehur kreu i FFK-së. Ndërkohë, në emër të Ligës së Veteranëve të Futbollit të Kosovës, kryetari i saj, Enes Shosholli ka nderuar me fanella të veçanta ministrin Çeku, zv/ministren Daulina Osmani dhe presidentin Ademi.
Ndërkohë, më pas skena ishte për yjet e dikurshme të Kosovës dhe Gjermanisë, të cilët ndonëse ka kohë që i kanë dhënë fund karrierës profesioniste, edhe këtë herë dëshmuan vlerat e tyre, duke dhuruar emocione për të pranishmit me lëvizjet dhe magjitë e lojës me top. Në pjesën e parë ishin veteranët gjermanë ata që u treguan më efikasë dhe arritën të shënojnë dy gola përmes ish-sulmuesit të spikatur të Werder Bremenit, Aílton Gonçalves da Silva.
Përkundër faktit se tani goxha në mbipeshë, ai dëshmoi klasin e tij me golat e minutës së 8-të dhe minutës së e parë e realizoi në minutën e 29-të. Në këtë periudhë loje veteranët e Kosovës patën disa mundësi, ndër të cilat një herë qëlluan shtyllën përmes Muhamed Dragushës. Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për Kombëtaren gjermane, e cila në minutën e 47-të përmes Dariusz Wosz çoi shifrat në 3:0. Megjithatë, ky disavantazh i thellë nuk i demoralizoi lojtarët e drejtuar nga Jusuf Tortoshi, të cilët arritën t’i barazojnë shifrat.
Fillimisht shënoi Sunaj Keçi, në minutën e 57-të me një gjuajtje të fortë nga distanca. Më pas Lulzim Berisha shënoi për 3:2, derisa rezultatin përfundimtar të ndeshjes në kohën e rregullt e vendosi Muhamed Dragusha, në minutën e 78-të. Për t’u përcaktuar fituesi i kësaj ndeshje u gjuajtën penalltitë, ku më të saktë u treguan gjermanët, duke fituar 4:2. Në radhët e ekipit gjerman u paraqitën edhe dy emrat e njohur të futbollit shqiptar, Fatmir Vata dhe Florent Aziri, që kanë pasur karrierë të suksesshme në Gjermani. Në fund, medaljet dhe trofeun e këtij aktiviteti i ndanë së bashku presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku dhe zv/ministrja Daulina Osmani.