Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Senatori amerikan Bob Menendez, njëherësh Kryetar i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë, diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe fuqizimin e mëtejmë të tij.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, në takimin e mbajtur sot në kuadër të Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kryeministri Kurti e njoftoi senatorin për rezultatet e deritanishme të qeverisë, me theks te sundimi i ligjit.
Tutje në njoftim thuhet se po ashtu Kurti e falënderoi senatorin Menendez për mbështetjen aktive të tij ndaj Kosovës në Senatin amerikan, dhe se ata folën edhe për procesin e dialogut, raportin me Serbinë dhe propozimin evropian, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Menendez për qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konstruktivitetin e treguar përgjatë tërë procesit, njofton ekzekutivi nëpërmjet komunikatës për media.