Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria është pranë Kosovën për anëtarësimin e saj në NATO dhe OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Begaj ka përshëndetur angazhimin e SHBA-së dhe BE-së për dialogun me Serbinë, duke theksuar nevojën për njohje reciproke mes dy vendeve.
“Shqipëria është pranë jush edhe për pranimin e Kosovës në NATO, OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare. Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet dialogun. Qeveria serbe nuk është distancuar nga agresori dhe as agresioni dhe as s’ka ndaluar aktivitetin e saj kundër njohjes së Kosovës. Angazhim i BE-së dhe SHBA-së është shprehje e qartë e rëndësisë që ka Kosova për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të gjithë rajonit. E kam të rëndësishme ta përshëndes këtë angazhim dhe vijimin e një dialogu të mirëndërtuar, me njohje të ndërsjellë”, ka thënë Begaj.
Ai ka përmendur komandantin legjendar, Adem Jashari, luftën e UÇK-së, dhe presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
“Me mirënjohje kujtojmë Adem Jasharin, UÇK-në luftëtarët e lirisë që edhe sot na frymëzojnë me sakrificën e tyre për të mbrojtur të shkuarën, të tashmen e të ardhmen e një kombi. Kujtojmë sot liderin simbol të forcës së durimit e elokuencës, shqiptarin që çoi përpara që me zgjuarsi, qartësi e qetësinë e pashembullt qoi përpara kauzën e drejt të pavarësisë së Republikës së Kosovës. kujtojmë presidentin Rugova simbol i paqes në Ballkan e Evropë. Ne përfaqësohemi me dy shtete, me dy president, tre kryeministra e tre kryetarë Kuvendi, e shumë ministra e parti politike që kontribuojnë”, ka shtuar ai.