Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen festive të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e mbajtur për nder të 17 Shkurtit, tha se Pavarësia e Kosovës është arritur përmes luftës dhe sakrificës dhe pavarësia jonë do të rritet vetëm përmes punës.
“Simbolikisht kemi zgjedhur ta hapim këtë ditë me mbledhje, sepse kemi dashur të shprehim mesazhin se puna dhe festa do të shkojnë gjithmonë bashkë. Në këtë festë duhet të ja përkujtojmë njëri-tjetrin që kur të vijë 20-vjetori. Kosova është një shembull demokratikë në një rajon problematikë si Ballkani, kjo falë jush. Kosova jonë modelin e japin qytetarët”, tha ai.
Sipas tij, në këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës detyra jonë kryesore është se kur të vijë 20-vjetori, të jenë të rejat dhe të rinjtë të mund të zgjedhin Kosovën për të jetuar”, tha ai, raporton RTKlive.
Kurti tha se Kosova është shembull i demokracisë në Ballkan. “Pavarësia jonë është si rezultat i historisë shekullore”, tha ai.
I pari i Qeverisë së Kosovës tha se duhet të kemi parasysh amanetin e gjeneratave që kanë dhënë gjakun e tyre për lirin e Kosovës dhe nuk e gëzojnë atë. “Kosova nuk është produkt i rastësisë, por i historisë”, deklaroi ai.