Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq ka thënë se ai nuk do ta nënshkruante marrëveshjen me Kosovën sipas planit franko-gjerman, me versionin tashmë të shfaqur në media.
“Nuk do të firmosja marrëveshjen siç u shfaq në publik dhe në atë që kam pasur qasje. Megjithatë, askush nuk e di ende përmbajtjen përfundimtare të tekstit që do të nënshkruhet, kështu që për versionin përfundimtar do të mund të deklarohem vetëm kur të finalizohet”, ka thënë Tadiq në intervistë për gazetën ‘Danas’.
Ai tutje duke kritikuar presidentin aktual serb, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se ‘nuk mund të mendohet në të njëjtën kohë për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë.
“Në çdo rast, do të ishte shumë më e vështirë, pothuajse e pamundur (të pengohej anëtarësimi i Kosovës në OKB, v.j.) nëse do të nënshkruhej një marrëveshje e tillë. Në kohën e qeverisjes sonë kjo as që ishte temë. Dhe ne nuk arritëm në këtë situatë brenda natës, por është rezultat i politikës katastrofike ndaj Kosovës prej një dekade të kësaj qeverie, prioriteti i së cilës ishte ruajtja e mbështetjes ndërkombëtare për krijimin e qeverisë së tyre, sesa ruajtja e interesave tona kombëtare”, ka shtuar Tadiq.
Ai tutje ka thënë se regjimi i Vuçiqit ka dhjetë vjet që e përgatit publikun për këtë lloj momenti. Sipas Tadiq fundi i regjimit të Vuçiqit do të ndodhë kur të zhduket frika tek qytetarët.