F.B.
Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, është eliminuar që në çerekfinale të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve, duke u ndalur nga kampioni i Holandës, Heroes Den Bosch.
Ndeshja e zhvilluar të hënën mbrëma në Samokov të Bullgarisë përfundoi me fitoren e holandezëve 80:68. Në tribunë nuk mungoi përkrahja e madhe, pasi mbi 200 tifozë të “Torcidës” udhëtuan nga Mitrovica për të mbështetur skuadrën.
Trepça e nisi furishëm takimin, duke fituar çerekun e parë 27:19 dhe duke dhënë sinjale se mund të arrinte fitoren. Mirëpo, Den Boschi reagoi fuqishëm në periodën e dytë, të cilën e fitoi 21:9, duke mbyllur pjesën e parë në epërsi 40:36. Në të tretin epërsia u rrit edhe më shumë (24:20), ndërsa në periodën e fundit Trepça tentoi rikthimin, por pa sukses.
Statistikat më të mira te “xehetarët” i pati qendra Chad Brown me “double-double” (11 pikë dhe 10 kërcime), megjithatë me shumë huqje. JaCori Payne shënoi 15 pikë e dhuroi pesë asistime, ndërsa Drilon Hajrizi shtoi 10 pikë e pesë kërcime.
Nga ana tjetër, Menno Dijkstra udhëhoqi Den Boschin me 13 pikë pa asnjë tentim të huqur, Kerwin Walton shtoi 14, ndërsa Keevan Veinot realizoi po ashtu 13 pikë.
Me këtë fitore, kampioni i Holandës kalon në gjysmëfinale të turneut kualifikues ku përballet me Bakken Bears nga Danimarka, ndërsa Trepça e mbyll aventurën në Champions dhe zhvendoset në fazën grupore të FIBA Europe Cup.
Kjo ishte paraqitja e dytë historike e mitrovicasve në Ligën e Kampionëve. Vjet ata kishin kaluar çerekfinalen ndaj Keravnosit qipriot, por kësaj radhe u ndalën që në pengesën e parë – në një mbrëmje ku vetëm zëri i fuqishëm i “Torcidës” u bë pika e ndritur.