Në një kohë kur bota po përballet me tensione të thella mes fuqive të mëdha, ish-ambasadori amerikan dhe diplomati i lartë në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, ka dhënë një intervistë për A2 CNN, ku ka folur për rendin global, luftën në Ukrainë, ndikimin e Kinës dhe Rusisë, si dhe sfidat e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë mbi Kosovën.
Moore thekson se rivalitetet mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë janë të forta, por secila marrëdhënie ka dinamika të ndryshme. Ai kujton se historikisht, Shtetet e Bashkuara kanë qenë herë aleatë, herë kundërshtarë të këtyre fuqive, duke sjellë si shembull edhe periudhën e Luftës së Dytë Botërore.
Lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, Moore e quan atë “të paligjshëm dhe të pajustifikuar”, duke theksuar se Perëndimi duhet të shtyjë për një armëpushim dhe negociata serioze, pasi “paqa, edhe kur nuk është e përsosur, është më e mirë se lufta”.
Sa i përket përpjekjes së Kinës për të krijuar një rend të ri botëror me aleatë autokratë, Moore nënvizon se një sistem me më pak demokraci nuk është model i qëndrueshëm:
“Askush nuk është i lumtur kur s’ka liri fjale, kur nuk mund të zgjedhë udhëheqësit apo kur burgoset për një mendim ndryshe. Një rend botëror pa demokraci është i padeshirueshëm”.
Diplomati amerikan tha se raportet e SHBA-së me Ballkanin duhet parë rast pas rasti, duke përmendur stabilitetin e Shqipërisë, anëtarësinë e disa vendeve në NATO dhe sfidat e Kosovës.
Për Kosovën, Moore dha një paralajmërim të fortë:
“Ka pothuajse një bllokadë të plotë politike. Pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA duhet të jetë një zile zgjimi. Nuk shoh përpjekje serioze nga Prishtina për t’u angazhuar në dialog me Serbinë. Nuk është as temë serioze këtu. Si mund të jetë e mundur?”
Ai theksoi se qëndrimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Vetëvendosjes ka sjellë zhgënjim të madh në Washington, duke përmendur edhe mungesën e respektit ndaj ambasadorëve amerikanë ndër vite.
Moore hodhi poshtë idenë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të rrezikonte shtetësinë e Kosovës:
“Është plotësisht e pakuptimtë të thuhet se kjo do të shkatërronte Kosovën. Ky nuk është një version i dytë i Republikës Srpska. Është thjesht bashkëpunim mes komunave në fushat ku ato tashmë kanë kompetenca sipas ligjit të Kosovës”.
Në fund, Moore nënvizoi se dialogu Kosovë–Serbi është i domosdoshëm për çdo hap përpara drejt BE-së, NATO-s dhe OKB-së:
“Është marrëzi të mendohet se Kosova do të hyjë në NATO apo BE pa bërë përparim në dialog. Liderët duhet të bëjnë kompromis dhe konsensus. Pa këtë, Kosova do të ngecë”.