Sot Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare, ku do të diskutohet për zhvillimet në dialogun me Serbinë.
Kjo seancë pritet të fillojë në orën 12:00.
Kjo seancë është thirrur nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, ku e kanë ftuar kryeministrin Albin Kurti që të debatojnë në të gjitha temat e çështjet rreth zhvillimeve të ndërlidhura me dialogun.
“Qëllimet e shtetit tonë në dialog me Serbinë janë të njohura. Angazhimi për arritjen e këtyre qëllimeve është përgjegjësi nga e cila nuk mund të shmanget askush. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie nuk mund të bëhet në mënyrë të fshehtë, as nëpër restorante, e as me postime në Twitter, por përmes transparencës së plotë përballë qytetarëve e përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës”.
Kujtojmë se në seancën e kaluar kryeministri Albin Kurti kishte dhënë detaje rreth këtyre zhvillimeve, duke thënë se ka pranuar planin franko-gjerman si bazë për zhvillimet e tjera, e madje ai përsëriti se kjo s’do të thotë që ka pranuar edhe Asociacionin.