13 shkurti është shpallur nga UNESCO si dita ndërkombëtare e Radios, me qëllim që të kujtohet fuqia e radios në funksion të promovimit të qasjes në informacion dhe të lirisë së shprehjes. Historia e Radios është ajo që arrin të përshkruajë secilin nga hapat më të rëndësishëm të komunikimit të quajtur Radio që nga zbulimi i të ashtuquajturave valë radioje e deri më sot.
“Jam njeri i Radio-s 100%, kam qenë me fat që në fëmijëri kam pas radio në shtëpi ,sepse radiot kanë qenë të rralla në vitet e 50-ta .Në vitin 69 kur kam ardhur në Prishtinë me studime, më shumë kam qëndruar në Radio Prishtinë, më shumë rrija në redaksi të muzikës sesa në Amfiteatër të Fakultetit Teknik, demek me u ba inxhinier, i kam humb dy vite andej, por kam fituar 2 vite këtu”, deklaroi Feim Kurhasani.
Gazetarët shpalosin ndjenjat dhe dashurinë për punën në Ditën e Radios
Kjo është vetëm një pjesë e rrëfimit të gazetarit Feim Kurhasanit, i cili rreth 20 vite më vonë do bëhej pjesë e Radio Prishtinës, fillimisht si bashkëpunëtor i jashtëm, në emisionin “Kanga, Gazi, Dashuria”.
Zhvillimi radio-stacioneve në Kosovë ka pasur disa faza. Transmetimet e para radiofonike lidhen me periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Një radiostacion i vogël që ka transmetuar në nëntor të vitit 1942 fillimisht nga Prishtina dhe pastaj nga Prizreni, emërtohej Radio Kosova.
Të moshuarit sot, kujtojnë se altoparlantët e saj ishin të vendosur në sheshin e qytetit dhe radio transmetonte kumtesat ushtarake, vendime të prefektit, por edhe muzikë. Muzikë italiane transmetohej me shumë sesa shqipe, pasi në atë kohë këngët shqipe të regjistruara ishin të pakta fare.
Gjatë luftës se dyte botërore pason një ndërprerje e transmetimit për të rifilluar sërish në fund të vitit 1945 me emërtimin Radio Prizreni me moderatorët Hysnije Hana dhe Mustafë Shala. Një vit më vonë radio-stacioni transferohet përsëri në Prishtinë në lokacionin ku ishte në vitin 1942, por tani emërtohej Radio Prishtina.