Para tre muajsh ishte takimi i tyre i fundit. Pranimi në parim i planit të Bashkimit Evropian për dialogun, pritet t’i ulë sërish përballë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel. Përveç diskutimit për kornizën e propozimit të BE-së për dialogun, aty pritet të flitet edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mirëpo, ndërmjetësuesit e dialogut ende nuk iu kanë dorëzuar palëve ftesat zyrtare për takim.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se Kurti është i gatshëm për takim, andaj edhe janë në kontakt të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian për caktimin e takimit të radhës.
Këta të fundit konfirmojnë për KosovaPress përgatitjet për takimin Kurti-Vuçiq, derisa theksojnë se kanë marrë parasysh edhe gjashtë kushtet e kryeministrit Albin Kurti për Asociacionin, por pa treguar nëse kanë vërejtje për ndonjërin prej tyre, ani pse zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ditë më parë tha se Brukseli ka vërejtje në dy prej tyre.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian për caktimin e takimit të radhës. Gatishmërinë për të e kemi shprehur edhe publikisht. Do t’ju mbajmë të informuar me kohë”, deklaron zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.