Nëse Real Madrid mposht sonte skuadrën nga Arabia Saudite, Al Hilal, do të siguronte trofeun rekord të pestë të Kupës së Botës për Klube, pasi spanjollët kanë triumfuar tashmë katër herë në këtë garë; 2014, 2016, 2017 dhe 2018. Skuadra nga kryeqyteti spanjoll është më e suksesshmja e kësaj gare.
Toni Kroos ka qenë pjesë e të gjitha sukseseve të mëparshme të Real Madridit në Kupën e Botës për Klube, pasi iu bashkua klubit në verën e vitit 2014.
Megjithatë, ai gjithashtu krenohet me një medalje fituesi në turne nga ditët e tij te Bayern Munichi, që do të thotë se ai synon të bëhet lojtari i parë që fiton Kupën e Botës për Klube gjashtë herë.
Bayerni kishte mposhtur skuadrën marokene, Raja Casablanca, në finalen e vitit 2013, në të cilën mesfushori gjerman luajti 60 minuta.
33-vjeçari është lojtari i vetëm me pesë medalje fituesish dhe ai do të shpresojë t’i bëjë ato gjashtë sonte, duke triumfuar në ndeshjen kundër Al Hilal.