F.B.
Dukagjini ka arritur një fitore të rëndësishme në Superligë, duke triumfuar me rezultatin 2:1 ndaj Feronikelit 74, një humbje që konfirmon rënien e skuadrës nga Drenasi nga elita e futbollit kosovar.
Në këtë ndeshje, Feronikeli 74 ka kaluar në epërsi në minutën e 44-të me golin e Sokol Kiqinës, por Dukagjini ka reaguar në pjesën e dytë.
Menjëherë pas fillimit të fraksionit të dytë, Hekuran Berisha e ka barazuar rezultatin me një goditje me kokë në minutën e 49-të. Vetëm 13 minuta më vonë, Dukagjini e ka gjetur golin e dytë, kur mbrojtësi Egzon Sinani ka shënuar për ta përmbysur rezultatin në 2-1.
Kjo fitore e çon Dukagjinin në vendin e gjashtë me 40 pikë, një më shumë se Prishtina dhe Llapi, që ndodhen në vendet 7 dhe 8, por me një ndeshje më pak të luajtur. Nga ana tjetër, Feronikeli 74, i cili tashmë e ka të konfirmuar rënien nga elita, mbetet i fundit në renditje me vetëm 15 pikë të grumbulluara. Tabela kryesohet nga Drita e Gjilanit me 66 pikë.