F.B.
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka mësuar kundërshtarët me të cilët do të përballet në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Shorti i hedhur, të enjten, në selinë e UEFA-s në Nion, ku FFK u përfaqësua nga Valbona Gashi Uka dhe Xhuli Berisha, i vendosi Dardanet në Grupin 6 në Ligën C, ku janë përfshirë edhe Letonia dhe Maqedonia e Veriut.
Ndeshjet e para do të luhen në muajin shkurt, derisa garat do të mbyllen në qershor. Kalendari i ndeshjeve do të vendoset ditëve në vijim, teksa ato do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje.
Sipas skemës së përcaktuar nga UEFA, gjashtë fituesit e grupeve promovohen në Ligën B. Dy skuadrat e renditura më të mira në vendin e dytë luajnë kundër dy skuadrave më të mira të vendit të tretë të Ligës B.
Më pas fituesit do të luajnë në Ligën B për fazën e kualifikimeve evropiane, derisa ekipet e mposhtura do të luajnë në Ligën C.