Kryetari i Këshillit për Arbitrazhin Sportiv, Eroll Salihu, ish-sekretari gjeneral i FFK-së, i është kundërpërgjigjur ashpër kësaj të fundit, pasi shtëpia e futbollit e akuzoi atë se ka ndikuar në vendimin e KAS-it në favor të Prishtinës.
KAS konstatoi se FC Prishtinës padrejtësisht i është mohuar pjesëmarrja në gara evropiane, duke mos u licensuar nga FFK-ja, për çka Prishtina tani ka paralajmëruar hapa ligjorë për kompensim financiar.
FFK-ja e kontestoi përmes një reagimi këtë vendim të KAS-it, duke e akuzuar për ndikim Eroll Salihun.
Por ky i fundit në një prononcim për Gazetën Express i mohon pretendimet e FFK-së, të cilën e akuzon se është mësuar të mos respektojë asgjë që është ligjore në Kosovë.
“FFK-ja është mësuar të mos respektojë asgjë çka është ligjore në këtë vend, kështu që e konteston edhe këtë vendim ligjor dhe ky reagim i saj nuk është befasi. Sa për informim tuajin dhe publikut, pikërisht për t’iu shmangur konfliktit të interesit, unë nuk kam qenë fare pjesë e panelit dhe asnjëherë nuk kam marr pjesë në diskutime. As te rasti i Prishtinës as te rasti i Dinamos së Ferizajt. Sa i përket kryesueses, ajo nuk është zgjedhur nga unë dhe s’kam pasur të bëj asgjë në përzgjedhjen e saj, pasi zonja në fjalë është zgjedhur nga vet paneli. Pra, unë nuk kam të bëj asgjë me këtë vendim sepse këtë e kam bërë pikërisht për t’iu shmangur konfliktit të mundshëm të interesit”, deklaroi Salihu për Express.