Përfaqësuesi i Francës në Këshill të Sigurimit të OKB-së ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është garanci për stabilitetin rajonal dhe se është kusht thelbësor për perspektivën europiane që të dyja vendet e kanë zgjedhur.
Ai tha se Franca mirëpret marrëveshjen në tregtinë e lirë në Europën Qendrore dhe zhbllokimin e saj që është bërë mes dy vendeve.
“Dhe pastaj hapja e kufirit në Merdare ka qenë vendim i rëndësishëm për ta rritur progresin në integrimin rajonal dhe europian. Një përpjekje tjetër është tashmë edhe në shkurtimin e kohës në kalimet kufitare”.
Ai tha që marrëveshja e lidhur para më shumë se një viti e gjysmë të implementohet dhe se kjo është themelore që palët të përkushtohet në drejtim të tyre.
Ndërkaq, për Kosovën ai tha se Franca dënon “veprimet e njëanshme” të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit.
“Franca dënon veprimet e shumta të njëanshme të autoriteteve të Kosovës në veri të saj që ndikojnë në jetën e komunitetit serb atje. Këto nxisin pa nevojë tensionet, Franca thekson që progresi i Kosovës drejt institucioneve ndërkombëtare varet edhe nga progresi në dialog. Pra, këto veprime të njëanshme duhet të zgjidhen edhe në këtë mënyrë edhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në bazë të draft-statutit të BE-së. Mungesa e progresit në këtë drejtim mbetet pengesë ndaj implementimit efektiv të drejtave të pakicës serbe në Kosovë. Është me rëndësi që të rivendoset demokracia përfaqësuese në veri të Kosovës dhe të rivendoset pjesëmarrja aktive serbe në qeverisjen lokale edhe në sistem gjyqësor e policor”.
Për sulmin terrorist në Banjskë ai tha se është një “incident tragjik që është i papranueshëm dhe përgjegjësit për këtë krim janë ende të lirë”.
“Ata duhet të vihen para drejtësisë. Autoritetet serbe e dinë se cilat janë obligimet e tyre. Pra, Franca do të vazhdojë të përcjellë ngjarjet në këtë drejtim”.
Në fund, ai tha se kërkohet kompromise dhe se kjo s’mund të ndodhë pa guxim politik të liderëve të Kosovës dhe të Serbisë.