F.B.
Kampioni i Kosovës në hendboll, Istogu, është kualifikuar në raundin e tretë të Kupës Evropiane (EHF European Cup).
Në raundin e dytë, Istogu fitoi bindshëm të dy ndeshjet ndaj skuadrës greke, Pylaia Thessaloniki.
Pas fitores 33:25 të shtunën, istogaset të dielën fituan me rezultat 35:27.
Të dy ndeshjet janë zhvilluar në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Me marrëveshje mes dy klubeve, ndeshjet u zhvilluan në Kosovë, përkatësisht në Pejë.
Istogu për herë të tetë po paraqitet në gara evropiane dhe për herë të katërt kaloi kundërshtar evropian. Tani shpreson ta kalojë edhe raundin e tretë të Kupës Evropiane.
Në ndeshjen e së dielës, istogaset dominuan nga fillimi e deri në fund.
Pjesa e parë përfundoi 19:12 për Istogun, që në pjesën e dytë vetëm konfirmoi fitoren e thellë dhe kualifikimin në raundin e tretë të Kupës Evropiane.
Astou Ndiaye e Lana Paviçeviq shkëlqyen tek Istogu duke i realizuar nga 11 gola. Catarina Sucacuexe e Nihed Limem i shënuan nga katër, ndërsa tri gola i realizoi Arlinda Dinarica. Kontribut në suksesin e madh dhanë edhe lojtaret tjera.
Tani Istogu e pret shortin për ta mësuar kundërshtarin e radhës.