F.B.
Arbër Pira është zgjedhur futbollisti më i mirë i javës në Superligën e futbollit.
Ndonëse mbrojtës, ai e shënoi golin e dytë së Malishevës ndaj Dukagjinit, ndërsa asistoi edhe në golin e tretë në fitoren 3:1 të mysafirëve.
Pasi e mori çmimin “Ylli i Javës”, Pira u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.
“Ndeshja me Dukagjinin ka qenë shumë e mirë. Trajneri e ka përgatitur shumë mirë ndeshjen dhe ne e realizuam saktësisht atë që kishim planifikuar. Motivi ka qenë shumë i lartë dhe besoj se karakteri i shumë lojtarëve ka bërë diferencën në një fushë të rënduar që ne të marrim 3 pikë të merituara. Kam shënuar një gol dhe kam bërë një asist. Ka qenë një ndjenjë shumë e mirë ta ndihmoj ekipin. Synimet e FC Malisheva janë që të jemi në pjesën e lartë të tabelës dhe nuk kemi pretendime për të dalë kampion. Kemi një ekip shumë të mirë, të përbërë nga lojtarë të rinj shumë të talentuar, mendoj se mund të arrijmë lart me këtë ekip. Është një ndjenjë e mirë të shpallem ‘Ylli i Javës’, një motiv shtesë për xhirot e ardhshme. Falënderoj stafin teknik dhe bashkëlojtarët, sepse pa ta nuk do të shpallesha më i miri i javës. Uroj që sa më shumë lojtarë të FC Malisheva të shpallen më të mirët e javës”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.