Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se me rastin e Ditës së Shenjtërimit të Nënë Terezës, Kori i Filharmonisë së Kosovës, në drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi, mbajti koncert me një program të veçantë në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë në kuadër të Festivalit MareMeum.
“Programi i mbrëmjes përfshiu vepra nga kompozitorë të njohur ndërkombëtarë dhe shqiptarë si Jan Sandström, Baki Jashari, Vasil Sofokli Tole, Lorenc Antoni, Jake Runestad, Claudio Monteverdi, Aulon Naçi, dhe Rafet Rudi”, ka njoftuar ministria.
E ftuar speciale në këtë festival u paraqit violinistja e mirënjohur nga Kosova, Sihana Badivuku, e cila iu bashkua korit në interpretimin e ‘Concerto Fantasy’ nga R. Rudi.
“Publiku i qytetit të Vlorës priti me duartrokitje të ngrohta performancën, duke shfaqur vlerësimin për përkushtimin dhe profesionalizmin e Korit të Filharmonisë së Kosovës”, njofton MKRS.