Një sherr banal në rrugë i ka marrë jetën ish-futbollistit të kombëtares austriake, Volkan Kahraman.
Ngjarja e rëndë është konfirmuar nga mediat austriake që kanë bërë të ditur se ka ndodhur në Vjenë.
“Dy persona janë gjetur të vdekur të mërkurën në Vjenë.
Një 46-vjeçar mësohet se ka qëlluar një 43-vjeçar dhe më pas ka vrarë veten.
Sipas informacioneve të pakonfirmuara, viktima është ish-futbollisti austriak, Volkan Kahraman”,– shkruan “salzburg24.at”.
Kahraman, i cili në karrierën e tij ka luajtur tre ndeshje me përfaqësuesen e vendit të tij në fillimin e viteve 2000, është qëlluar për vdekje pas një sherri banal në rrugë me personin i cili raportohet se ishte një i njohur i tij.
Më pas, autori 46-vjeçar është vetëvrarë.
Ish-mesfushori Kahraman, e nisi karrierën në vitin 1997 te Fejnord i Roterdamit, duke kaluar më pas në klube të ndryshme në Austri.
I ndarë nga jeta në mënyrë tragjikë në moshën 43-vjeçare, ai kohët e fundit kishte punuar si trajner në skuadra të ndryshme në Vjenë.