Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admirali Stuart Munsch ka takuar të mërkurën ministrin serb të mbrojtjes Bratislav Gashiq dhe gjeneralin Milan Mojsiloviq, shef i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura serbe në Beograd, njofton KFOR-i.
“Vizita e admiralit Munsch në Beograd riafirmon përkushtimin e NATO-s për transparencë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Serbinë, duke siguruar që linjat e komunikimit të mbeten të hapura dhe efektive ndërsa të dyja palët punojnë së bashku për të trajtuar dinamikën komplekse të sigurisë në rajon”, thuhet në njoftimin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, e të cilin e ka përcjellë për media KFOR-i.
Të martën, Admirali Munsch ishte për vizitë në Kosovë ku u takua me kryeministrin Albin Kurti, derisa zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidenten Vjosa Osmani, e cila për shkak të gripit sezonal e pati të pamundur takimin në Presidencë.