F.B.
Dukagjini i ka shijuar pikët e para në sezonin e ri në Superligën e Kosovës në futboll.
Ekipi nga Klina fitoi në shtëpi 2:1 ndaj Gjilanit, në kuadër të xhiros së tretë në elitën e futbollit kosovar.
Ekipi i drejtuar nga Ismet Munishi arriti të fitonte me përmbysje rezultati, pasi e pa veten në disavantazh pas vetëm nëntë minutash me një autogol të Albion Pllanës.
Një gabim i rëndë i Kenan Haxhihamzës bëri që Met Millaku të përfitojë dhe të barazojë rezultatin në minutën e 30-të.
E në minutën e 49-të, Altin Mërlaku u tregua i saktë nga penalltia për 2:1, e që ishte epilogu i këtij takimi.
Me këtë fitore, tani Dukagjini ka tri pikë dhe ngjitet në vendin e shtatë.
Në anën tjetër, Gjilani me këtë humbje bie në vendin e tetë me dy pikë pas tri ndeshjeve.