Për herë të parë, Kosova do të përfaqësohet në Lojëra Paralimpike në edicionin e sivjetmë, “Parisi 2024”. Në një ngjarje të organizuar të premten, Komiteti Paralimpik i Kosovës e ka cilësuar moment historik për Kosovën pjesëmarrjen në këto lojëra.
“Sot ndodhemi para një momenti historik që ka realizuar ëndrrën tonë të kamotshme. Për herë të parë në historinë e sportit tonë, Kosova do të përfaqësohet në Lojërat Paralimpike “Parisi 2024”, ka thënë presidentja e KPK-së, Njomza Emini.
“Ky është një moment që nuk shënon vetëm një arritje për sportistët tanë, por edhe për të gjithë ne si komb”.
Krenare për paraqitjen e Kosovës në ngjarjen më të madhe të paralimpizmit në botë u shpreh edhe zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi.
“Ky është një shembull i qartë i përkushtimit dhe vendosmërisë së sportistëve tanë dhe një dëshmi e punës së madhe që është bërë nga presidentja Emini për të arritur këtë sukses”, ka thënë ajo.
Paraqitjen e Kosovës në “Paris 2024“ e vlerësuan lartë edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot dhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç. Guérot tha që pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra paraqet mundësi të jashtëzakonshme për shkëmbim të përvojave, ndërkaq shprehu krenarinë që këto lojëra por ndodhin në kryeqytetin francez. Në anën tjetër, ambasadori Tunç përgëzoi paraatletët dhe drejtuesit e KPK-së për pjesëmarrjen e parë në Lojërat Paralimpike, duke shprehur besimin që Kosova do të ketë përvojë shumë të suksesshme atje. Ai, po ashtu, informoi që Turqia ka ofruar trajnime për para-sportistët kosovarë, sikur ato të fundit që u mbajtën në Izmir.
Gjithsej 184 shtete do të garojnë në Lojërat Paralimpike Paris 2024, të cilat prej 28 gusht deri më 8 shtator do të mbahen në Paris të Francës.