Skuadra e Prishtinës është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll, pasi të hënën e ka mundur Dukagjinin e Klinës, me rezultat 3:1.
Kjo ndeshje ishte paraparë të zhvillohej të dielën, por u shty për 24 orë për shkak të ngricave në fushën e stadiumit “Sami Kelmendi” në Lipjan. Prishtina gjatë tërë ndeshjes u tregua skuadër më e mirë dhe krijoi shumë raste shënimi, teksa tri prej tyre arriti t’i finalizojë. Bardhekaltrit e kryeqytetit kaluan në epërsi në minutën e 9-të, me golin e Leotrim Kryeziut, derisa dy golat e tjerë i shënoi amerikani Jalen Blesa. Njërin gol e realizoi në minutën e 20-të, kurse tjetrin tre minuta pas fillimit të pjesës së dytë. Ndërkaq, golin e vetëm për Dukagjinin e realizoi futbollisti ukrainas, Vladyslav Khomutov, në minutën e 77-të.