F.B.
Sot do të zhvillohen të gjitha pesë ndeshjet e javës së 33-të në Superligën e Kosovës në futboll. Në program do të jenë disa sfida tejet interesante.
Lideri i Superligës, Ballkani do të ketë përballje tejet të vështirë në udhëtim tek Malisheva.
Suharekasit janë në seri të mirë rezultatesh në pesë sfidat e fundit, kanë katër fitore e një barazim, kurse malishevasit kanë rrënje të formës tri javët e fundit, ku nuk dinë për fitore.
Ekipi nga Theranda është lider i tabelës me 66 pikë, dy më shumë se përcjellësi më i afërt, kurse Malisheva është e katërta me 53 pikë, në kërkim të Evropës.
Ekipi i dytë i tabelës, Llapi do ta kenë një takim të vështirë në udhëtim te Gjilani, skuadër që po lufton për t’i ikur barazhit.
Llapjanët janë tri fitore radhazi, të cilat e kanë mbajtur në hap me liderit, kurse të kuqtë nga Gjilani me barazimin vikendin e kaluar dolën të shtatit, por janë vetëm një pikë larg zonës së barazhit.
Skuadra e tretë në tabelë, Drita i shkon Prishtinës. Të kaltrit nga Gjilani kanë ngecur katër pikë larg kryesuesit të tabelës, kurse kryeqytetasit e kanë të blinduar pozitën e pestë, Evropën e kërkojnë përmes Kupës.
Feronikeli kërkon fitore përballë Lirisë për t’i ikur pozitës së barazhit, pasi momentalisht janë aty, kurse prizrenasit tashmë janë përshëndetur nga elita.