F.B.
Sot ka hyrë fuqi ligji i ri për trafikun rrugor, i cili parasheh masa dhe gjoba të ashpra për shkelësit e rregullave në komunikacion.
Gjobat që parashihen me ligjin e ri janë nga 20 deri në 6 mijë euro, për ata që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, nuk respektojnë semaforin dhe nuk vendosin rripin e sigurisë.
Gjithashtu, gjoba janë paraparë edhe për këmbësorët që nuk kalojnë në vendkalimin e dedikuar për ta, ndërkaq me ligj është rregulluar edhe çështja e përdorimit të trotinetëve elektrikë.
Rregullat dhe gjobat e trafikut rrugor me ligjin e ri:
– Mosvendosja e rripit të sigurisë – 150 euro;
– Përdorimi i telefonit gjatë ngasjes;
– 100 + 1 pikë negative për shoferët që gjobiten për herë të parë;
– 200, 3 muaj ndalim i drejtimit të mjetit dhe 2 pikë negative për herë të dytë;
– 500, 6 muaj ndalim i drejtimit të mjetit dhe 3 pikë negative mbi dy herë;
– Këmbësori që nuk ndalet në dritën e kuqe të semaforit, dënohet me gjobë prej 50 eurosh;
– Shoferi i mjetit me veprim motorik, i cili nuk e heq baltën para kyçjes nëpër rrugë të asfaltuara, dënohet me gjobë prej 1 mijë eurosh.
Këto janë vetëm disa nga ndryshimet në ligjin e ri.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ndryshimet e fundit e kishte arsyetuar me qëllimin për rritjen e sigurisë në trafik dhe uljen e numrit të aksidenteve. Sipas Policisë së Kosovës, vetëm gjatë vitit 2023 janë shkaktuar 23,676 aksidente, kurse janë shqiptuar mbi 600 mijë gjoba.