Dhjetëra mijëra njerëz demonstruan në Jerusalem të dielën kundër qeverisë së Benjamin Netanyahu si dhe kundër tolerimit të hebrenjve ultra-ortodoksë që nuk kryejnë shërbimin ushtarak.
Protestat kishin pushuar për një kohë, pasi tronditja dhe uniteti kombëtar pasuan sulmet e 7 tetorit nga Hamasi – por gjashtë muaj më vonë, mijëra protestues janë sërish në rrugët e Izraelit.
Grupet e protestës, duke përfshirë disa që udhëhoqën demonstratat masive që tronditën Izraelin në 2023, organizuan tubimin jashtë parlamentit, Knesset, duke bërë thirrje për zgjedhje të reja për të zëvendësuar qeverinë.
Parullat që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit dhe zgjedhje të parakohshme u përforcuan nga ato më të rejat që bënin thirrje për një marrëveshje të menjëhershme për lirimin e rreth 130 pengjeve izraelitë të mbajtur ende në Gaza.
Protestuesit gjithashtu duan një pjesë më të barabartë në barrën e shërbimit ushtarak që lidh shumicën e izraelitëve. Rreth 600 ushtarë janë vrarë deri më tani që nga sulmi i Hamasit të 7 tetorit dhe lufta që pasoi në Gaza, që është numri më i madh i viktimave të ushtrisë ndër vite.
Kabineti i Netanyahut është përballur me kritika të gjera për dështimin e sigurisë të sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, ku 1200 njerëz u vranë dhe më shumë se 250 u morën peng në Gaza.
Lufta e Izraelit në enklavën palestineze ka përkeqësuar një mosmarrëveshje të gjatë fërkimi në shoqëri që po shqetëson gjithashtu qeverinë e koalicionit të Netanyahut e që janë përjashtimet që u jepen studentëve ultra-ortodoksë të seminarit hebrenj nga shërbimi në ushtrinë e vendit.
Në një konferencë për media në Jerusalem, Netanyahu tha se ishte i bindur se do të gjendet një zgjidhje. Ai tha gjithashtu se mbajtja e zgjedhjeve në kulmin e luftës, kur tha se Izraeli ishte kaq afër fitores, do ta paralizonte vendin për muaj të tërë.