Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit ka dënuar me 2 vjet burg Fredi Belerin, për akuzën e korrupsionit në zgjedhje. Prokurorët e SPAK kërkuan 2 vjete e 6 muaj burg për Belerin për “Korrupsion në Zgjedhje”, por GJKKO vendosi ta dënojë atë vetëm me 2 vjet.
Gjykata vendosi të dënojë me 1 vit e 6 muaj burg te pandehurin tjetër Pandeli Kokaveshi, bashkëpunëtorin e tij për blerjen e votave. Dënimi i tij është konvertuar në 3 vjet shërbim prove.
Avokati i Fredi Belerit, Geni Gjyzari e ka cilësuar vendimin e gjykatës si politik me porosi të kryeministrit.
“Kryetari i seancës, i cili në fillim të seancës bëri gafën e radhës duke i ndërprerë fjalën Belerit. Ju e patë vetë sesi bërtiste, si i ndërpriste fjalën Belerit. Kjo është e padëgjuar, ky është vendim politik siç e porositi kryeministri”, tha avokati.
Avokati tha se vendimi do të ankimohet në Apelin e GJKKO. Fredi Beliri, gjatë seancës së sotme (5 mars) akuzoi Prokurorinë dhe Policinë për “sajim të provave” kundër tij, ndërsa shtoi se “trupi gjykues ka bërë gjykim të njëanshëm” duke mos pranuar kërkesat e tij. rtsh.al
“Pres drejtësi, në vendim jepni drejtësi dhe mos i jepni konotacion patriotik. Për të gjithë të pandehurit e tjerë me të njëjtat akuza është kërkuar vendime të lehta dënimi, si shërbim prove, për mua është kërkuar masa maksimale 2 vjet e 6 muaj”, tha Beleri.
Akuzat për trupën gjykuese solli një reagim të fortë të gjyqtarit Erjon Çela, i cili tha se “i pandehuri Beleri nuk duhet të sulmojë gjykatën, pasi është prokuroria organ i akuzës”.
Seanca gjyqësore u ndoq edhe nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, Ambasada greke edhe nga mediat greke, ndërsa në sallë ndodheshin edhe mbështetës të Belerit.
Fredi Beleri u kap nga policia e Vlorës duke blerë vota dhe u arrestua më 12 majit 2023, 2 ditë para zgjedhjeve lokale.