Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar mbrëmë se Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka premtuar në Këshill të Evropës se Kosova do t’ia kthejë tokën Manastirit të Deçanit, mirëpo kryeministri Albin Kurti nuk ka lejuar që kjo të bëhet.
Muhaxheri ka thënë se Qeveria Kurti duhet të tregohet racionale dhe të mendojë për të ardhmen e vendit dhe ta përfundojë këtë çështje, që ka thënë se është kriter për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
“Kjo qeveri që po lyp me u anëtarësu në Këshill të Evropës, dmth një kriter po e ka, s’po mundet 23 hektarë të Manastirit të Deçanit me ia kthy. Shkon Kryeparlamentari premton që i ka ba, ky shefi i vetë i thotë s’bën me ba, a ky atje ka premtu në Këshill të Evropës që ka me realizu këtë punë, ka me ia bartë pronën Manastirit të Deçanit dhe shefi mbas nuk e le dhe ku o fjala jote si kryeparlamentar, çka ki bo, çka ki fol jashtë. Sovraniteti i shtetit matet në besueshmërinë që e ka kryministri, presidentja edhe ky me obligimet që i ka marrë shtetërore para bashkësisë ndërkombëtare me i realizu. Këta s’janë në gjendje qato me i realizu. Dmth s’është në gjendje 23 hektarë tokë Manastrit të Deçanit me ia kthy për me u anëtarësu në Këshill të Evropës. Duhet me qenë racional dhe me mendu për të ardhmen e këtij vendi edhe me kry një veprim që është shumë i thjeshtë me u bë”, ka deklaruar Muhaxheri në Pressing të T7.
Ndryshe, vendet e QUINT’it tash e disa vjet shpresin shqetësimin se nuk po respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit dhe rregullisht u bëjnë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i lejojnë manastirit ta regjistrojë tokën në kadastër.