RTKlive
Raportimi i anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media para Komisionit Parlamentar lidhur me çështjen e lejimit të transmetimit të kanaleve “ArenaSport” të Serbisë në kabllorët e Kosovës është shtyrë për shkak të mungesës së përkthimit të kontratave që kompania ‘Artmotion’ ka me Ligën Premiere.
Por, më pas ka nisur diskutimi dhe raportimi nga ARKEP dhe KPM lidhur me dënimet që janë shqiptuar për kabllorët që detyronin qytetarët të mos shkëpusnin kontratat, gjë e cila ka vënë në pah edhe mospajtimet brenda KPM-së.
Anëtarja e Bordit të KPM-së, Luljeta Aliu, ka thënë se ka pasur parregullsi, shkelje dhe mungesë transparence brenda Komisionit të Pavarur të Mediave, derisa ka thënë se çështja e heqjes së kanaleve ‘Digitalb’ nga platforma ‘Artmotion’ është dashur të dërgohej në Prokurori.
“Kjo për mua përbën një provë e cila do të duhej të dërgohej në Prokurori për të parë nëse ka ekzistuar mashtrimi, jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe ndaj KPM-së”, ka theksuar ajo.
Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Nazim Rahimi ka folur për shkeljen e kushteve të kontratave nga operatorët kabllorë.
Ai ka thënë se më 5 shkurt të këtij viti është miratuar Rregullorja e re që flet për shkëputjen e kontratave në rast se ndryshojnë kushtet e kontratës. Ai ka thënë se konsumatorëve iu ka dhënë e drejta t’i shkëpusin kontratat me operatorët nëse ndryshojnë kushtet e kontratës nga kabllorët, derisa ka bërë të ditur se është formuar një departament në ARKEP që do të merret me konsumatorët dhe me inspektime për t’i mbrojtur ata.
Kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti, ka thënë se në fillim të këtij viti kanë pranuar 340 ankesa për ndryshim të kanaleve në platformat kabllore. Ai ka thënë se konsumatori duhet të njoftohet 30 ditë më herët nëse operatorët ndryshojnë pakon.
“Ata nuk e kanë njoftuar KPM-në se nga data 1 janar do të ketë lëvizje të kanaleve. Në fund kemi parë se qytetarëve nuk u është ofruar katalogu i kanaleve. Bazuar në këto shkelje, kemi marrë një vendim që katër operatorët e shpërndarjes t’i gjobisim me 100 mijë euro”, ka thënë ai.
Në fakt, muajin e kaluar KPM kishte dënuar katër shpërndarësit e rrjetit kabllor në Kosovë; Artmotion është dënuar me 64 mijë euro, Kujtesa me 26 mijë euro, IPKO me 7 mijë euro dhe Telkos me 3 mijë euro për shkeljet e evidentuara.