F.B.
Sporti i basketbollit dhe baleti klasik do të bëhen bashkë në premierën e parë të Baletit Kombëtar të Kosovës për sivjet, “Rebounds. A BasketBallet”.
Kjo vepër i takon stilit bashkëkohor dhe është realizuar në bashkëpunim me dy koreografët gjermanë Friederike Lampert dhe Jochen Roller, ndërsa kompozitor i muzikës është Ohad Talmor.
“Rebounds. A BasketBallet’ eksploron kërcimin dhe cilësinë muzikore të një loje basketbolli duke parë modelet e dyshemesë, konstelacionet e lojtarëve, ritmet e topit, strukturat e lojës dhe ndërveprimin e rendit dhe kaosit. Pjesa është një lojë imagjinare e cila ka rregullat e veta: Një shpërthim furie, hiri, ngatërrese dhe shpirti ekipor”, thuhet në njoftimin e Baletit Kombëtar të Kosovës.
Premiera e baletit “Rebounds. A BasketBallet”, do të shfaqet më 15 shkurt në sallën e ateliesë në Pallatin e Rinisë.