F.B.
Në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport është bërë shqyrtimi në parim i projektligjit të ri për sport i cili planifikon të sjellë disa ndryshime në këtë fushë.
Në prezantimin e projektligjit, zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani ka thënë se ky ligj është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me federatat sportive dhe se ai parasheh ndarjen e përgjegjësive përbrenda sistemit sportiv duke krijuar disa mekanizma të reja.
Osmani: Ligji parasheh edhe dixhitalizimin e sistemit sportiv
“Për më shumë, ligji parasheh themelimin edhe të mekanizmave të rinj institucional të cilët kanë për qëllim ndarjen e përgjegjësime përbrenda sistemit sportiv si dhe fuqizimin e tyre në arënën ndërkombëtare. Pra, reforma parasheh themelimin e Agjencisë së Sportit, Inspektoratit të Sportit, Këshillit Shtetëror për Sport si dhe krijimin e regjistrit të sportit që rrjedhimisht nënkupton dixhitalizimin e kompelt sistemit sportiv të vendit”, tha Osmani.
Për më tepër, Osmani bëri të ditur se ligji parasheh edhe adresimin e të drejtave të sportistëve që kanë dhënë kontribut në kohën e okupimit si dhe krijon edhe standart të ri për infrastrukturën sportive.
Osmani: Ligji adreson të drejtat e ish-sportistëve
“Një risi, por edhe kërkesë e kahmotshme, në kuadër të ligjit parashihet të adresohen edhe të drejtat e ish-sportistëve apo veteranëve sportiv të cilët kanë ofruar kontributin e tyre gjatë periudhës së okupimit, po ashtu adresohen për herë të parë çështja e infrastrukturës sportive në kuadër të ligjit të sportit ku ky ligj përcakton standartet dhe dimensionet e infrastrukturës sportive, planifikimet dhe llojet e investimeve që mund të bëhen në kuadër të infrastrukturës sportive e shumë e rëndësishme çështjen e menaxhimit dhe çështjen e mirëmbajtjes së asaj infrastrukture”, theksoi më tutje Osmani.
Ajo ka bërë thirrje që ky ligj të votohet sa më parë që të jetë e mundur sepse kjo mundëson edhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030