Forcat mbrojtëse të Izraelit kanë vazhduar me sulme ajrore dhe operacione tokësore, drejtuara kundër militantëve të Hamasit, në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës.
Duke iu përgjigjur kritikave për viktima të panevojshme civile zyrtarët e ndryshëm izraelit, kanë thënë se, ushtria e Izraelit, është duke i arritur caqet e ofensivës përderisa kryeministri i vendit Benjamin Netanyahu deklaroi se, deri më tani, janë shkatërruar 17 prej 24 batalioneve të luftës të Hamasit.
Njëkohësisht, nga Gaza njoftohet se luftimet në Khan Younis ende vazhdojnë, por me intensitet më të vogël përderisa forcat izraelite kanë shkatërruar disa tunele të mëdha që shtriheshin përfundi këtij qyteti.
Njëkohësisht, disa mediume kanë njoftuar se Izraeli, tani po përgatitet të sulmojë qytetin Rafah, në afërsi të kufirit me Egjiptin, ku, sipas Tel Avivit, tani është përqendruar pjesa më e madhe e luftëtarëve dhe udhëheqësve të mbetur të Hamasit.
Ndërkohë, vijnë njoftime për intensifikimin e këmbimeve të zjarrit raketor dhe artilerik mes luftëtarëve të Hezbollahut në Liban dhe forcave izraelite. Gjatë orëve të paradites Hezbollahu nisi një seri të sulmeve raketore drejtë qyteteve izraelite.
Edhe pse të gjitha raketat u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, Tel Avivi ka thënë se ky ka qenë sulmi më intensiv deri më tani.
Pak pas tij, Izraeli goditi disa caqe të Hezbollahut në Libanin Jugor. Deri më tani nuk ka raporte për viktima eventuale të këtyre sulmeve.