Lëvizja Vetëvendosje është kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshje tjetër mbi baza etnike. Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e kësaj partie, Alim Rama e Hajrulla Çeku gjatë një takimi që kanë zhvilluar me drejtorin e FES për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, René Schlee.
“Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë, brenda kornizave ligjore-kushtetuese”, kanë thënë përfaqësuesit e LVV-së
Sipas njoftimit për media lëshuar nga kjo parti, më e madha në Kosovë, thuhet se bashkëpunimi në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Social Demokrate të Gjermanisë do të jetë një nga objektivat kryesore gjatë këtij viti, në kuadër të rritjes së koordinimit me familjen Social Demokrate në EU dhe në botë.
Sipas të njëjtit njoftim, në takim janë dakorduar për koordinim e bashkëpunim për vitin 2023, me theks të veçantë në fuqizimin e kapaciteteve organizative, politikën publike dhe qeverisjen lokale. Po ashtu, partia më madhe kosovare ka ftuar FES-in, që të bëjnë një studim krahasimor për respektimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë dhe në vendet e tjera përfshirë Serbinë.