Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, kanë uruar qytetarët e Kosovës për heqjen e vizave.
Kryeministri Kurti tha se ky mëngjes nuk ka pasur si të nis më mbarë, se sa me zgjerimin dhe të drejtën e mundësive për qytetarët tanë.
“Kemi pritur shumë gjatë, nga sot po hiqet një padrejtësi. Qytetarët tanë tashmë do të mund të lëvizin në 32 vende. Sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë të cilët kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës tonë. Të respektojnë kriteret, dhe kudo që të udhëtojmë mos të harrojmë se shtëpia jonë është Kosova. Urime viti i ri dhe për herë të fundit urime liberalizimi i vizave”, tha Kurti
Kurse zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se të gjithë e dinë se sa shumë është pritur para ambasadave dhe sa paraja është shpenzuar për viza.
“Sa kohë është humbur edhe në mërgatë duke siguruar ftesa. E dini se sa para janë shpenzuar për dokumente dhe procedura. E dini se sa jo dinjitoze kanë qenë pritjet në rrugë, në shi në borë dhe në diell. Ato kanë marrë fund me ditën e sotme”, tha Gërvalla duke shtuar se studentët dhe të rinjtë kanë mundësin jo vetëm për eksplorimin dhe mundësin të reja për studime, por edhe shijojnë natyrën artin kulturën dhe të tjerat.
Ajo falënderoi të gjithë ata që kanë ndihmua në procesin e liberalizimit të vizave.
Ky është grupi i parë i qytetarëve që udhëtojnë pa viza për fituesit e kuizit të Bashkimit Evropian, që është organizuar në kuadër fushatës informuese të Qeverisë së Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave.
Tash e tutje, qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Kosovarët nuk do të presin më para zyrave të ambasadave të huaja për një vizë, e as nuk do të shpenzojnë për termine e pagesë vizash.
Kujtojmë se Komisioni Evropian ka vlerësuar që nga korriku i vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Por, për shkaqe politike dhe reflektime të brendshme, vendimi ishte shtyrë.
Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u botua më 25 prilli 2023, në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Me këtë veprim u përmbyll edhe formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. RTKlive