BE-ja e mirëpret vendimin e Serbisë për t’i njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS dhe tash pret nga Kosova të bëjë një hap. Pasi emisari Miroslav Lajçak u paraqit më i kënaqur së fundmi duke përmendur progresin në normalizimin e marrëdhënieve, vendimi i fundit i Beogradit e hedh topin te kryeministri Albin Kurti, nga i cili ndërkombëtarët presin që të lëvizë urgjentisht drejt formimit të Asociacionit.
Prej 1 janarit, Serbia do t’i lejojë të qarkullojnë në territorin e saj automjetet me targa të Republikës së Kosovës dhe pas këtij vendimi të Beogradit, Bashkimi Europian pret një lëvizje nga Kosova.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano i tha Gazetës Express se BE-ja e mirëpret vendimin e Serbisë “për t’i njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS të lëshuara nga Kosova”, ndërsa shtoi se presin që Kosova tash të përgjigjet “në mënyrë të ngjashme”.
“Ky vendim paraqet një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit, si dhe detyrimet e mëparshme nga dialogu lidhur me Lirinë e Lëvizjes. Kjo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo gjithashtu përbën një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe europian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit. Ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të regjimit të afisheve. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, tha Stano.
Kryenegociatori serb në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq të hënën e dha lajmin se do të nis zbatimi i kësaj pike për të cilën Serbia ishte pajtuar në marrëveshjen e vitit 2011.
“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes”, tha Petkoviq, duke insistuar se nuk mund të kuptohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.