Konflikti në Gazë shënon mbi 100 viktima izraelite që nga ofensiva tokësore. Kryeministri Netanyahu i bën thirrje Hamasit që të dorëzohet, e këta të fundit thonë se asnjë peng izraelit nuk do të lirohet, nëse nuk u plotësohen kërkesat.
Më shumë se 100 ushtarë izraelitë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës tokësore të Izraelit në Gaza.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë publikuar emrat e 430 trupave të vrarë që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor. Nga këto 101 janë vrarë që kur trupat izraelite filluan ofenziven tokësore. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u bëri thirrje ‘terroristëve të Hamasit’ të dorëzohen. Netanyahu tha se dhjetëra luftëtarë të Hamasit po i dorëzojnë armët dhe po dorëzohen. Sipas tij ky është fillimi i fundit për Hamasin.
E në anën tjetër, Hamasi thotë se asnjë peng nuk do të largohet gjallë nga Gaza nëse nuk plotësohen kërkesat e tij. Izraeli është zotuar vazhdimisht se do të bëjë gjithçka që mundet për të shpëtuar pengjet e mbetura. Rreth 110 pengje janë liruar gjithsej në armëpushimin njëjavor, i cili përfundoi javën e kaluar.
Grupet humanitare kanë paralajmëruar se mungesa e ushqimit dhe ilaçeve do të ndihet më ashpër në Gaza me fillimin e dimrit dhe me shumicën dërrmuese të popullsisë të zhvendosur. Rripi i Gazës është i përbërë nga rreth 2.3 milionë banorë në total 80% e të cilëve mbështeten në ndihma humanitare kryesisht për shkak të armiqësive të vazhdueshme me Izraelin.
E sipas të dhënave nga terreni, Izraeli ka goditur caqe në Liban dhe Siri me arsyetimin se kishte kapur një objektiv të dyshimtë ajror që kaloi nga territori libanez. Ndërkohë, agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA tha se Izraeli kreu sulme ajrore pranë kryeqytetit të tij Damaskut, të dielën vonë.