Luftime intensive u ndezën të enjten në qytetet më të mëdha të Rripit të Gazës mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit, ndërsa civilët palestinezë përpiqeshin të gjenin strehim në hapësirat e pakta të sigurta të mbetura në dispozicion.
Luftimet u zhvilluan në qytetin e Gazës, në veri ku Izraeli u përqendrua në fillim të fushatës kundër Hamasit, si edhe në Khan Younis në Gazën jugore, ku është zgjeruar lufta së fundmi.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se forcat izraelite po i afrohen vendndodhjes së kreut të Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar dhe se “është vetëm çështje kohe derisa ta gjejmë atë”.
Luftimet i kanë detyruar civilët të shkojnë gjithnjë e më në jug, kanë shkaktuar ndërprerjen e operacioneve humanitare të OKB-së dhe kanë nxitur paralajmërime të përsëritura për rëndimin e mëtejshëm të gjendjes.
Kombet e Bashkuara thanë se dhjetëra mijëra njerëz kanë mbërritur ditët e fundit në Rafah, pranë kufirit jugor. OKB-ja tha se për shkak të përshkallëzimit të dhunës më në veri, kjo zonë është e vetmja pjesë e Gazës nga ku ka hyrë një pjesë e kufizuar ndihmash humanitare këtë javë.
Banorët dhe gazetarët njoftuan për sulme të shumta ajrore izraelite në Rafah gjatë natës. Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi njoftoi për të paktën 37 të vdekur. Ushtria izraelite akuzoi të enjten militantët se kishin lëshuar raketa nga zonat pranë Rafahut.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së paralajmëron se një kolaps i përgjithshëm i sistemit humanitar në Gazë mund të ketë “pasoja të pakthyeshme për palestinezët në tërësi dhe për paqen dhe sigurinë në rajon”.