Kombëtarja U17 e Kosovës në volejboll, është pritur në mënyrë madhështore, në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Presidenti i FVK-së, Bahri Gjinovci, i shoqëruar nga anëtarët e bordit Halime Fetahu, Abedin Mehani e Valon Xhafaj, i kanë përgëzuar vajzat për arritjet dhe përfaqësimin e Kosovës në formën më të mirë.
Buqeta me lule dhe ëmbëlsira ishin të rezervuara për vajzat, nga prindërit dhe familjarët tjerë, që ishin të pranishëm në numër të madh në aeroport.
Kosova U17 e siguroi për herë të parë kalimin për raundin e dytë të kualifikimeve për CEV Kampionatin Evropian, pasi doli e pesta nga kualifikimet e fazës së parë, njofton FVK.