Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të NATO-s kanë diskutuar lidhur me situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe kanë shprehur shqetësimin për rolin e akterëve të jashtëm që tentojnë të destabizilojnë rajonin.
Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, ka tërhequr vërejtjen se që nga momenti kur ka marrë këtë post, fokusi i Bashkësisë ndërkombëtare ka qenë stabiliteti në Ballkan me theks të veçantë në Kosovë dhe Bosnje.
“Një gjë që nuk na nevojitet është kthimi në të ardhmen kur bëhet fjalë për konfliktin në Ballkan. NATO ka një rol kritik për të luajtur për të ndihmuar shtetet në rajon të bëjnë përparim në rrugët e tyre drejt anëtarësimit në BE dhe drejt stabilitetit më të gjerë evropian. NATO prej kohësh ka qenë shtylla kryesore e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Kështu do të vazhdojë. Aleanca u është përgjigjur me vendosmëri aktorëve që po kërkojnë të destabilizojnë veriun e Kosovës, siç ishte ne në fillim të këtij viti, duke vendosur trupa shtesë në KFOR”, ka thënë Blinken.
Debatin për rajonin në takimin ministror, Blinken e cilësoi si pjesën më kritike të diskutimeve gjatë takimit dyditor.
Të martën në mbrëmje ministrat e NATO-s kanë shqyrtuar mundësinë që numri shtuar i ushtarëve të KFOR-it , pas sulmit në Banjskë, tani të jetë afatgjatë.
Për domosdoshmërinë e uljes së tensioneve në Kosovë foli në fund të takimit edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Ai rikujtoi se muajt e kaluar, u përshkuan nga incidente serioze në veri të Kosovës, dhe përmendi lëndimin e ushtarëve të KFOR-it si dhe sulmin në Banjskë.
“Kjo është serioze dhe nxjerr në pah sfidat me të cilat ne përballemi në Kosovë dhe nevojën që palët të punojnë drejt deeskalimit dhe përmbahen nga tensionet dhe retorika nxitëse që mund të rrisë tensionet”, ka thënë Stoltenberg.
Ai kërkoi nga Prishtina dhe Beogradi që të angazhohen me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE, dhe në këtë rrafsh përmendi se propozimi i ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë”, mund të jetë një rrugë përpara për të gjetur zgjidhje dhe për të bërë progres në dialog.