Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur ditën e sotme në takim ambasadorin e ri të Republikës së Çekisë në Kosovë, Bohumil Mazanek.
Nga Zyra e Kryeministrit njoftojnë se pasi u takuan zyrtarisht për herë të parë në pritjen e ambasadës çeke me rastin e 105-vjetorit të Festës Kombëtare të 28 tetorit të vitit 1918, takimi i sotëm rastisi në një datë tjetër historike për Çekinë, atë të “Revolucionit të Kadifenjtë” të 17 nëntorit 1989.
“Së fundmi, Kosova dhe Republika e Çekisë, ngritën nivelet përkatëse të përfaqësimit në atë më të lartë, të ambasadorëve me të drejta të plota. Ky hap është një dëshmi e marrëdhënieve tona të shkëlqyera, të ndërtuara mbi angazhimin tonë të përbashkët për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti dhe ambasadori Mazanek diskutuan mbi marrëdhëniet bilaterale duke theksuar gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia, shkëmbimet tregtare, siguria dhe mbrojtja, diplomacia parlamentare e kultura.
Tutje thuhet se si një përkrahëse e madhe e rajonit, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së gjatë vitit të kaluar ka qenë ndër më të suksesshmet. Vendet e rajonit avancuan në rrugën e tyre drejt BE-së, përfshirë Kosovën e cila arriti të ketë vendimin politik dhe konsensusin e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave si dhe zyrtarisht dorëzuam dhjetorin e kaluar në Pragë aplikimin tonë për anëtarësim në BE.
Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës në objektivat strategjikë të vendit siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe marrja e statusit të vendit kandidat për avancim në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Ai e falënderoi ambasadorin Mazanek për përkrahjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës. Ambasadori shtoi se Çekia është një mbështetëse e madhe e Kosovës dhe kjo është politikë konstante e vendit.
Kryeministri Kurti i ofroi dhe ngushëllimet e tij popullit çek për humbjen e një personaliteti të rëndësishëm si ish-ministri i Punëve të Jashtme, Karel Schwarzenberg.