Asocacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmin e një imami lokal në qytetin e Vushtrrisë ndaj ekipit të portalit “Insajderi”.
“AGK-ja, e konsideron të rëndë dhe të papranueshëm sulmin fizik ndaj ekipit të gazetarëve, që ka rrezikuar sigurinë e tyre dhe ka penguar zhvillimin e punës profesionale. Përkundër faktit që sulmi ka vazhduar edhe në prezencë të Policisë, imami është liruar pas intervistimit me urdhër të Prokurorit”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta trajtojnë me prioritet rastin, dhe që ta mbajnë përgjegjës personin që ka sulmuar fizikisht gazetarët.
Gazetarja, Dijellza Preniqi dhe kameramani Albert Bislimi, janë sulmuar në xhaminë “Sheikh Zayed” nga hoxhë Bedri Halili, pasi kishin shkuar të bisedojnë me të për disa deklarata të publikuara online ku dëgjohet të ketë fyer gratë.